Rama pritet nga Macron në Élysée, merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris

09 Nov 2026 • 20:34
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.

Mbrëmjen e sotme, kreu i qeverisë shqiptare u prit nga presidenti Macron në Pallatin Élysée, në kuadër të një takimi dypalësh.

Vizita zhvillohet në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, një platformë ndërkombëtare që mbledh udhëheqës politikë dhe përfaqësues të institucioneve për të diskutuar sfidat globale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Reklamë Ola

Edicioni i këtij viti fokusohet te rëndësia e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një periudhë të karakterizuar nga ndryshimet gjeopolitike, zhvillimet teknologjike dhe sfidat klimatike.

Në kuadër të forumit, kryeministri Rama do të marrë pjesë në një sesion të posaçëm të formatit “Spotlight”, ku do të diskutojë perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për brezat e rinj.

Reklamë InterMedika

Gjithashtu, Rama do të jetë pjesë e seancës plenare me temë “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi), e cila do të trajtojë dimensionet e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rolin e tij në përballimin e sfidave të përbashkëta.

Pjesëmarrja e kryeministrit shqiptar në këtë forum vjen në një periudhë kur Shqipëria po vijon procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa Franca mbetet një nga partnerët e rëndësishëm evropianë të vendit.