Kryeministri Edi Rama deklaroi se udhërrëfyesi i paraqitur për herë të parë nga Komisioni Europian përcakton etapat dhe objektivat që Shqipëria duhet të përmbushë gjatë vitit të ardhshëm në negociatat me Bashkimin Europian. Sipas tij, Komisioni e vlerëson synimin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 si ambicioz, por të arritshëm.
Rama sqaroi se dokumenti nuk cakton një datë anëtarësimi dhe nuk paracakton rezultatin e negociatave. Ai tha se udhërrëfyesi tregon “centimetër për centimetër kilometrin e fundit të rrugës”, duke përcaktuar punën që duhet të bëjnë institucionet shqiptare.
Kryeministri theksoi se përgjegjësia kryesore për përmbushjen e objektivave i takon shumicës qeverisëse. Sipas tij, mundësia që ka sot Shqipëria nuk është e përhershme dhe vonesat mund ta vënë atë në rrezik.
“Historia nuk do na e falte kurrë bjerrjen e kësaj mundësie për shkakun tonë”, u shpreh Rama, duke u zotuar se do të bëjë gjithçka që Shqipëria të mos e humbasë këtë shans.


