Begaj pret ambasadorin e ri të Izraelit, fokus te forcimi i bashkëpunimit dypalësh

06 Nov 2026 • 16:22
Shpërndaje:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim zyrtar ambasadorin e ri të Shtetit të Izraelit në Shqipëri, Jonathan Peled Kaynar, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.

Gjatë ceremonisë, kreu i shtetit i uroi ambasadorit suksese në përmbushjen e misionit të tij diplomatik, duke vlerësuar marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.

Takimi u zhvillua në një vit të veçantë për marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat shënojnë 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Reklamë Ola

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh në sektorë me interes të përbashkët, duke veçuar ekonominë, teknologjinë, sigurinë, mbrojtjen kibernetike dhe turizmin.

Vëmendje iu kushtua gjithashtu nxitjes së shkëmbimeve ndërmjet qytetarëve të dy vendeve, si një mundësi për forcimin e lidhjeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-izraelite.

Reklamë InterMedika

Gjatë bashkëbisedimit, palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

Takimi shënon nisjen e misionit diplomatik të ambasadorit Jonathan Peled Kaynar në Shqipëri dhe konfirmon angazhimin për vijimin e dialogut dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të përbashkët.