Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Bukuresht me homologun e tij rumun, Dan Neculăescu, gjatë të cilit u diskutua forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, integrimi evropian dhe sfidat e sigurisë në rajon.
Gjatë takimit, dy ministrat rikonfirmuan angazhimin për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë, me vëmendje të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, si dhe shfrytëzimin e potencialit të pashfrytëzuar në këta sektorë.
Ministri Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Rumanisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Së bashku, mbetemi të angazhuar për të çuar përpara integrimin evropian dhe për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Hoxha.
Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua zhvillimeve të fundit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në rajonin e Detit të Zi dhe në arenën ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, kreu i diplomacisë shqiptare theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit ndërmjet vendeve aleate dhe forcimit të koordinimit brenda NATO-s për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
Hoxha nënvizoi gjithashtu nevojën për vijimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, në kushtet e luftës me Rusinë dhe pasojave të saj për sigurinë evropiane.
Gjatë takimit, ministri shqiptar rikonfirmoi solidaritetin e Shqipërisë me Rumaninë përballë sfidave të sigurisë në rajonin e Detit të Zi, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim më të ngushtë në kuadër të strukturave evropiane dhe euroatlantike.
Të dy ministrat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit diplomatik dhe institucional për forcimin e stabilitetit rajonal, avancimin e integrimit evropian dhe mbrojtjen e sigurisë së përbashkët.


