Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rezultatet e Shqipërisë në testin ndërkombëtar PISA 2025, duke i cilësuar ato si një “dëftesë të jashtëzakonshme” për nxënësit shqiptarë dhe sistemin arsimor.
Gjatë një transmetimi live në Facebook, Rama tha se Shqipëria ka shënuar përmirësim të ndjeshëm në matematikë, shkencë dhe lexim, duke theksuar se vendi renditet i pari në rajon në disa prej treguesve të matur nga testi.
“Kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA 2025, një test që përcakton nivelin e të nxënit për fëmijët e arsimit parauniversitar në matematikë, shkencë dhe lexim”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, rezultatet tregojnë një rikuperim të fortë pas rënies së regjistruar në periudhën e pandemisë së Covid-19.
“Kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm pas Covidit, ku si të gjithë kishim një rënie, por sot jemi të parët në rajon, duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe sektor”, u shpreh ai.
Rama theksoi se rezultati nuk duhet parë vetëm si një arritje e qeverisë apo Ministrisë së Arsimit, por si një vlerësim për nxënësit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave.
“Shqipëria dje ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme, që i takon nxënësve tanë”, tha kryeministri, duke shtuar se përmirësimi është rezultat edhe i punës së bërë në sistemin arsimor gjatë viteve të fundit.
Gjatë transmetimit, Rama iu përgjigj edhe disa komenteve kritike të qytetarëve, të cilët ia atribuonin rezultatet vetëm punës së nxënësve.
“Po të ishte vetëm për nxënësit, nuk do të ishte ky përmirësim”, tha ai, duke argumentuar se rritja e rezultateve lidhet edhe me punën e Ministrisë së Arsimit, mësuesve dhe drejtuesve të shkollave.
Kryeministri pretendoi gjithashtu se Shqipëria jo vetëm ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të pikëve, por ka lënë pas edhe disa vende anëtare të Bashkimit Europian.
“Jo vetëm kemi bërë kërcim të jashtëzakonshëm pikësh, por kemi lënë pas edhe disa vende që sot janë në BE”, deklaroi Rama.
Ai kritikoi gjithashtu komentet negative në rrjetet sociale dhe mënyrën se si, sipas tij, paraqiten zhvillimet në vend, duke thënë se arritje të tilla nuk marrin vëmendjen që meritojnë.
Rama e cilësoi rezultatin e PISA 2025 si një sinjal inkurajues për ecurinë e arsimit shqiptar dhe një tregues të punës së bërë në sistem.
“Është një rezultat shumë inkurajues, që flet për punën e bërë nga Ministria e Arsimit dhe ndihem jashtëzakonisht mirë”, përfundoi kryeministri.


