Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, dhe deputeti britanik Paul Foster u kanë bërë thirrje partive politike në Kosovë që të kapërcejnë sa më shpejt ngërçin institucional, duke zgjedhur Presidentin dhe duke formuar një qeveri plotësisht funksionale.
Në një deklaratë drejtuar Kuvendit të Kosovës, Robertson dhe Foster kërkuan nga forcat politike kompromis, përgjegjësi dhe vendosjen e interesave të qytetarëve mbi përplasjet partiake.
“Si miq të hershëm të Kosovës, ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit dhe udhëheqësve në të gjithë spektrin politik që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për të zgjidhur çështjen e Presidencës dhe për të formuar një qeveri plotësisht funksionale pa vonesë të mëtejshme”, deklaruan ata.
Robertson dhe Foster vlerësuan gjithashtu zhvillimin demokratik të Kosovës, por theksuan se arritjet e deritanishme duhet të shoqërohen me një lidership politik që arrin t’i përgjigjet situatës aktuale.
“Kosova ka demonstruar vazhdimisht guximin, qëndrueshmërinë dhe shpirtin demokratik të popullit të saj. Këto arritje tani duhet të shoqërohen me një lidership politik të barabartë me momentin”, thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, vazhdimi i bllokadës institucionale rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe njëkohësisht të largojë vëmendjen nga çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit.
Ata renditën sigurinë, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe perspektivën europiane të Kosovës si disa nga prioritetet që kërkojnë institucione funksionale.
“Bllokimi i vazhdueshëm institucional rrezikon dobësimin e besimit të publikut dhe largimin e vëmendjes nga prioritetet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët: siguria, mundësitë ekonomike, sundimi i ligjit dhe e ardhmja europiane e Kosovës”, theksuan Robertson dhe Foster.
Në përfundim, dy zyrtarët britanikë u kërkuan forcave politike që në vendimmarrjen e tyre të vendosin në plan të parë interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Në rrethanat aktuale të Kosovës, përgjigjja e duhur është ajo që e vendos vendin, popullin e tij dhe të ardhmen e tij në radhë të parë”, përfunduan ata.


