Rama për arrestin e Vlora Hysenit: Sistemi sot lufton korrupsionin

02 Oct 2026 • 11:13
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka komentuar hetimet ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke e lidhur rastin me atë që ai e konsideron një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si Shqipëria po lufton korrupsionin.

Në një intervistë për gazetën gjermane WELT, Rama u pyet për korrupsionin në Shqipëri dhe procedimet penale ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe çështjen e Hysenit.

“Shqipëria ishte një vend ku korrupsioni ishte sistemi. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi lufton kundër korrupsionit. Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit”, deklaroi kryeministri.

Reklamë Ola

Vlora Hyseni është aktualisht nën hetim nga SPAK dhe ndaj saj është caktuar nga GJKKO masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimi nga detyra. Ajo dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Hetimi është ende në zhvillim dhe ndaj saj nuk ka një vendim përfundimtar fajësie.

I pyetur për punën e SPAK-ut dhe goditjen e zyrtarëve të lartë, Rama tha se funksionimi i drejtësisë së re përbën një zhvillim pozitiv, por shprehu edhe rezerva për disa procedura të ndjekura.

Reklamë InterMedika

“Pjesërisht është e dhimbshme. Jo të gjitha procedurat përputhen me standardet evropiane, sipas mendimit tim. Shqipëria ka normën më të lartë të të burgosurve në paraburgim në kontinent. Por kjo është pjesë e një procesi të ashpër dhe të pashmangshëm”, tha Rama në intervistë.

Kryeministri u pyet gjithashtu për përgjegjësinë e tij politike, duke pasur parasysh hetimet dhe dënimet që kanë prekur zyrtarë apo ish-zyrtarë të lidhur me qeverisjen e tij.

Rama argumentoi se pikërisht fakti që drejtësia mund të hetojë edhe persona në nivelet më të larta të pushtetit është, sipas tij, tregues i funksionimit të institucioneve.

“Jam krenar që vendi ynë tani është në gjendje t’i mbajë njerëzit përgjegjës, kudo që ndodhen. Kjo është përgjegjësia ime politike”, deklaroi ai.

Çështja ndaj Hysenit lidhet me procedimin e SPAK-ut që ka nisur nga hetimet ndaj biznesmenit Ergys Agasi. Më 24 shtator, GJKKO la në fuqi masën e “arrestit në shtëpi”, ndërsa ish-drejtuesja e SHISH e ka ankimuar vendimin në Apelin e Posaçëm.