Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar pas publikimit dhe shpërndarjes në internet të disa materialeve intime, duke kërkuar që vëmendja të zhvendoset nga personat që shfaqen në to te mënyra se si videot janë realizuar, publikuar dhe shpërndarë.
“Pyetja më e rëndësishme lihet në hije: kush i filmoi, kush i publikoi dhe kush po fiton nga shpërndarja e tyre?”, shkroi Luarasi në reagimin e saj.
Deputetja theksoi se marrëdhëniet private mes dy personave të rritur, kur zhvillohen me pëlqim, nuk përbëjnë krim, ndërsa filmimi pa dijeni apo pa pëlqim dhe publikimi i materialeve private duhet të jenë objekt hetimi.
“Turpi nuk u përket grave. U përket atyre që cenojnë privatësinë e tyre dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me ‘share’, klikime e tallje”, u shpreh ajo.
Luarasi përshëndeti hetimet e nisura nga Policia dhe Prokuroria, ndërsa bëri thirrje që personat e prekur të denoncojnë rastet për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të mënyrës se si janë realizuar dhe shpërndarë materialet.
Policia e Tiranës ka njoftuar se ka nisur hetimet kryesisht dhe se Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po punon për identifikimin e adresave IP, faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë materialet. Çështja i është referuar Prokurorisë për disa vepra penale që lidhen me të dhënat kompjuterike dhe cenimin e jetës private.
Edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka kërkuar ndalimin dhe heqjen e materialeve, duke theksuar se statusi i një personi publik nuk e anulon të drejtën për privatësi dhe dinjitet.
Në reagimin e saj, Luarasi kritikoi ashpër edhe mediat dhe portalet që publikojnë apo ripublikojnë materiale intime për audiencë dhe klikime.
“Shfrytëzimi i materialeve intime për trafik nuk është informim, por ekspozim, poshtërim dhe dhunë”, shkroi ajo, duke kërkuar përgjegjësi për çdo portal, faqe apo individ që kontribuon në përhapjen e tyre.
Deputetja paralajmëroi se turpërimi publik mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata jo vetëm për personat e përfshirë, por edhe për familjarët dhe njerëzit e tyre të afërt.


