Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të turizmit, ku prioritet nuk duhet të jetë më vetëm rritja e numrit të vizitorëve, por përmirësimi i cilësisë së ofertës turistike.
Duke folur në edicionin e parë të “Future Hospitality Forum 2026” në Tiranë, Rama tha se Shqipëria ka kaluar nga rreth 2 milionë turistë në afro 12 milionë, ndërsa sfida e ardhshme është të tërheqë më shumë turizëm me vlerë të lartë. Forumi, i organizuar për herë të parë nga AIDA, sjell së bashku zhvillues shqiptarë, investitorë dhe marka të njohura ndërkombëtare të hotelerisë.
“Tashmë ndodhemi në një moment kur, në vend që të gëzohemi për rritjen e kërkesës, jemi të shqetësuar për nevojën urgjente për të rritur cilësinë”, deklaroi Rama.
Kryeministri kujtoi se disa vite më parë Shqipëria kishte një prani shumë të kufizuar të markave ndërkombëtare të hotelerisë dhe se vendi kishte vështirësi për të përmbushur standardet e kërkuara nga operatorët e mëdhenj.
Sipas tij, edhe statistikat e mëparshme të turizmit jepnin një panoramë të shtrembëruar, pasi në numrin e turistëve përfshiheshin edhe shtetas shqiptarë që hynin dhe dilnin nga vendi.
“Edhe pse këto shifra ishin të fryra, ato nuk arrinin më shumë se 2 milionë, ndërsa sot kemi kaluar shifrën e 12 milionë turistëve”, tha Rama. Kryeministri ka përdorur të njëjtën shifër edhe në dalje të tjera publike gjatë këtij viti, duke thënë se Shqipëria e mbylli vitin e kaluar me afro 12 milionë vizitorë të huaj.
Rama paralajmëroi se rritja e shpejtë e numrit të vizitorëve mund të krijojë presion mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe komunitetet lokale, veçanërisht nëse modeli i zhvillimit mbështetet kryesisht te turizmi me shpenzime të ulëta ose mesatare.
“Të gjithë e dimë se shifrat e larta të vizitorëve me të ardhura mesatare dhe të ulëta ushtrojnë presion të madh mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe mbi vetë njerëzit tanë”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, Shqipëria duhet tashmë të krijojë kushtet për të tërhequr më shumë investime dhe operatorë të segmentit të lartë të turizmit.
“Duhet të krijojmë më shumë hapësirë dhe kushte që turizmi i ekselencës, i cilësisë së lartë, të vijë në vendin tonë dhe të shndërrohet në një forcë më vete”, tha Rama.
Në “Future Hospitality Forum 2026” prezantohen më shumë se 100 projekte shqiptare përballë investitorëve dhe operatorëve ndërkombëtarë, ndërsa mes kompanive pjesëmarrëse janë Accor Luxury, Minor Hotels, Wyndham Hotels & Resorts, Iberostar dhe Hyatt Inclusive Collection.


