Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje investitorëve dhe markave ndërkombëtare të hotelerisë që të shfrytëzojnë momentin aktual për të hyrë në tregun shqiptar, duke argumentuar se zhvillimi i shpejtë i turizmit mund t’i kufizojë më vonë mundësitë për investime të reja.
Duke folur në edicionin e parë të “Future Hospitality Forum 2026” në Tiranë, Rama tha se Shqipëria synon të kalojë në një fazë të re të zhvillimit të turizmit, me më shumë investime në segmentin e lartë dhe me praninë e markave ndërkombëtare. Forumi, i organizuar nga AIDA, ka sjellë së bashku zhvillues shqiptarë, investitorë dhe kompani të njohura të hotelerisë, ndërsa në të prezantohen mbi 100 projekte shqiptare.
“Na duhet më shumë dhe jo thjesht më shumë, por na duhet më shumë dhe na duhet tani”, tha Rama, duke iu drejtuar kompanive që janë ende duke shqyrtuar mundësinë për të investuar në Shqipëri.
Sipas kryeministrit, rritja e numrit të turistëve gjatë viteve të fundit ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për Shqipërinë dhe ka krijuar kushte më të favorshme për investime.
Ai tha se turistët janë shndërruar në “ambasadorët më të mirë” të vendit, duke ndihmuar në thyerjen e stereotipeve dhe në rritjen e interesit për Shqipërinë si destinacion.
Rama pranoi se vendi vazhdon të përballet me probleme dhe sfida, por argumentoi se Shqipëria tashmë duhet të synojë investime më të mëdha dhe një turizëm me të ardhura më të larta.
“Po përballemi me sfidën e kapërcimit të frikës për të menduar më madhështor dhe për të ëndërruar më shumë”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim të fjalës, Rama iu drejtua drejtpërdrejt investitorëve të pranishëm, duke u kërkuar të mos vonojnë vendimmarrjen.
Ai tregoi edhe një episod me një investitor amerikan, i cili fillimisht i kishte thënë se Shqipëria “nuk ishte ende gati” për të, ndërsa më vonë kishte shprehur interes për të ardhur.
“Pas njëfarë kohe, ai më telefonoi dhe më tha: ‘Dua të vij në Shqipëri’. Dhe unë iu përgjigja: ‘Shqipëria nuk ka më kohë për ju’”, tregoi Rama.
“Shfrytëzojeni kohën që keni tani dhe përfitoni sa më shumë prej saj, sepse, nëse mendoheni për një kohë tepër të gjatë, mund ta gjeni veten në një situatë ku Shqipëria të jetë bërë tashmë aq e zënë, saqë të mos ketë më kohë për ju”, përfundoi ai.
“Future Hospitality Forum 2026” fokusohet te investimet në hoteleri, zhvillimi urban, bregdeti i Adriatikut dhe Jonit dhe turizmi malor, ndërsa në aktivitet marrin pjesë marka ndërkombëtare si Accor Luxury, Minor Hotels, Wyndham Hotels & Resorts, Iberostar dhe Hyatt Inclusive Collection.


