Shqipëria merr pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me një angazhim të fortë për reforma, zhvillim të qëndrueshëm dhe avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se vendi paraqitet në këtë sesion me përgjegjësi dhe me synimin për t’i kthyer angazhimet në rezultate konkrete.
“Premtimet kanë rëndësi. Zbatimi ka edhe më shumë rëndësi dhe është pikërisht ai që bën diferencën”, shkroi Hoxha në një postim të publikuar të dielën.
Ministri bëri të ditur se debati i përgjithshëm i Asamblesë së Përgjithshme nis të martën, në një klimë ndërkombëtare të karakterizuar nga tensionet gjeopolitike, konfliktet dhe pasiguritë ekonomike e të sigurisë.
Mesazhin e tij Hoxha e shoqëroi me një videofjalim të kryeministrit Edi Rama për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në të, Rama e cilëson Agjendën 2030 dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian si pjesë të së njëjtës reformë transformuese për Shqipërinë.
“Për Shqipërinë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk janë një premtim i largët. Ato janë një plan i përditshëm pune dhe janë të pandashme nga rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027, anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 dhe përmbushja e Agjendës 2030 nuk përfaqësojnë tri procese të ndara, por një rrugë të vetme transformimi për vendin.
Rama renditi disa prej rezultateve të arritura nga Shqipëria që prej Rishikimit Kombëtar Vullnetar të vitit 2018. Ai deklaroi se niveli i varfërisë ka rënë nga 23.7 në 19 për qind, ndërsa vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç është përgjysmuar.
Kryeministri shtoi se më shumë se 95 për qind e shërbimeve publike ofrohen tashmë në internet, pothuajse e gjithë energjia elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme, ndërsa gratë mbajnë 35 për qind të vendeve në Kuvend dhe afro gjysmën e posteve ministrore. Ai theksoi gjithashtu se borxhi publik ka zbritur nën nivelin 60 për qind.
“Këto nuk janë thjesht statistika. Ato janë dëshmi se ndryshimi është i mundur”, deklaroi Rama, duke shtuar se Shqipëria renditet në vendin e 44-t në nivel global në Indeksin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për vitin 2026.
Në vijim, kreu i qeverisë bëri të ditur se Shqipëria ka angazhuar 6 milionë dollarë për Fondin e Përshpejtimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Fondet do të përqendrohen në katër fusha kryesore: mbrojtjen e fëmijëve, përgatitjen e bizneseve për tregun e përbashkët të BE-së, rigjallërimin e komuniteteve lokale dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Rama njoftoi gjithashtu se Shqipëria ka nënshkruar kuadrin e ri të bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara për periudhën 2027–2031, duke u zotuar se politikat e zhvillimit do të përfshijnë fëmijët, komunitetet rurale dhe kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.
Debati i përgjithshëm i sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nis të martën në Nju Jork. Liderë dhe përfaqësues të lartë nga e gjithë bota pritet të mbajnë fjalimet e tyre dhe të zhvillojnë takime dypalëshe.
Në qendër të diskutimeve do të jenë lufta në Ukrainë, zhvillimet në Lindjen e Mesme, ndryshimet klimatike, zhvillimi i qëndrueshëm, inteligjenca artificiale dhe sfidat e tjera globale. Tema e sesionit të këtij viti është: “Rikthimi i besimit, menaxhimi i transformimit: Një OKB që jep rezultate për të gjithë”.


