Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes, që zhvillohet më 10 dhe 11 nëntor, me fokus qeverisjen efektive si një nga kushtet për garantimin e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Gjatë forumit, Rama do të marrë pjesë në një sesion të posaçëm në formatin “Spotlight”, ku do të diskutojë mbi perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht për brezat e rinj.
Kryeministri shqiptar do të jetë gjithashtu pjesë e seancës plenare me temë “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi), ku do të trajtohen sfidat e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rëndësia e koordinimit mes shteteve për përballimin e krizave globale.
Rama mbërriti në kryeqytetin francez mbrëmjen e së hënës, ku u prit në Pallatin Élysée nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Forumi i Paqes në Paris mbledh përfaqësues të lartë politikë, diplomatë dhe drejtues organizatash ndërkombëtare për të diskutuar mbi sigurinë, qeverisjen dhe forcimin e bashkëpunimit global.
Pjesëmarrja e kryeministrit Rama zhvillohet në një periudhë kur Shqipëria po vijon procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të vendit.


