×
Wednesday, June 17, 2026

Rama në Berlin takon ministren gjermane të Ekonomisë, në fokus investimet dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor

June 17, 2026


Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Berlin me ministren Federale të Çështjeve Ekonomike dhe Energjisë të Gjermanisë, Katherina Reiche, në kuadër të vizitës së tij në Gjermani me ftesë të komunitetit gjerman të biznesit.

Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se në qendër të bisedimeve ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Sipas Ramës, gjatë takimit u diskutua gjithashtu qasja e Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor, i cili po shihet gjithnjë e më shumë si një horizont i ri investimesh për sipërmarrjet europiane.

Takimi vjen në një moment kur Shqipëria po intensifikon përpjekjet për të tërhequr investime të huaja dhe për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me partnerët kryesorë europianë, ndërsa procesi i integrimit në Bashkimin Europian mbetet prioritet strategjik i vendit.

Rama ndodhet në Berlin për të marrë pjesë në aktivitete me përfaqësues të biznesit gjerman dhe europian, ku po prezanton potencialet ekonomike të Shqipërisë dhe mundësitë për bashkëpunim në fusha të ndryshme të zhvillimit.




Comments are closed.