×
Wednesday, June 17, 2026

Sala: 36 qendra shëndetësore verore në funksion 24/7, mbi 4,900 pacientë të trajtuar që nga nisja e sezonit

June 17, 2026


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, deklaroi se këtë sezon turistik janë vënë në funksion 36 qendra shëndetësore verore në të gjithë vendin, të cilat ofrojnë shërbim të pandërprerë 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë për qytetarët dhe turistët.

Gjatë një inspektimi në Qendrën Shëndetësore Verore të Pogradecit, ministrja theksoi se këto struktura janë të pajisura me staf mjekësor, barna dhe pajisje të nevojshme për të garantuar kujdes shëndetësor të shpejtë dhe cilësor gjatë sezonit veror.

“Qendrat shëndetësore verore janë një element i rëndësishëm i gatishmërisë sonë për sezonin turistik. Ato sigurojnë akses të menjëhershëm në kujdes shëndetësor për pushuesit dhe turistët në çdo zonë të vendit”, u shpreh Sala.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rrjeti përfshin 28 qendra në zonat bregdetare, 5 në zonat malore dhe 3 në destinacione turistike me rëndësi kulturore dhe fetare.

Gjatë vizitës, ministrja njoftoi gjithashtu nisjen e zbatimit të një kuadri të ri të unifikuar për regjistrimin, trajtimin, tarifimin dhe dokumentimin e shërbimeve shëndetësore për shtetasit e huaj në institucionet publike shëndetësore.

“Ky urdhër vendos për herë të parë një kuadër të unifikuar për regjistrimin, trajtimin, tarifimin dhe dokumentimin e shërbimeve shëndetësore të ofruara për shtetasit e huaj në institucionet shëndetësore publike”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, sistemi i ri përcakton qartë kategoritë e shtetasve të huaj që përfitojnë shërbime falas, procedurat për rastet e mbuluara nga marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe tarifat për shtetasit jo-rezidentë, të cilat do të publikohen paraprakisht për të garantuar transparencë dhe informim të plotë të pacientëve.

Ministrja theksoi se ky mekanizëm synon trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të pacientëve, ndërsa të ardhurat e krijuara nga tarifat do të përdoren për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve të sistemit publik shëndetësor.

Nga 1 qershori deri më sot, në qendrat shëndetësore verore janë trajtuar 4,940 pacientë. Sipas të dhënave zyrtare, diagnozat më të shpeshta kanë qenë hipertensioni arterial, alergjitë dhe virozat e stinës.

Aktualisht, pranë këtyre qendrave shërbejnë 301 mjekë dhe infermierë, të cilët janë në gatishmëri të plotë për të ofruar kujdes shëndetësor gjatë gjithë sezonit turistik.




Comments are closed.