Një nga fenomenet më të rralla astronomike të shekullit do të ndodhë më 2 gusht 2027, kur Hëna do të mbulojë plotësisht Diellin gjatë një eklipsi total diellor që do të zgjasë deri në 6 minuta e 23 sekonda.
Astronomët e konsiderojnë këtë si eklipsin total më të gjatë të shekullit XXI, një ngjarje që pritet të tërheqë miliona vëzhgues dhe entuziastë të astronomisë nga e gjithë bota.
Fenomeni do të nisë mbi Oqeanin Atlantik dhe do të përshkojë Europën Jugore, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Eklipsi do të jetë i dukshëm në vende si Spanja, Gjibraltari, Maroku, Algjeria, Tunizia, Egjipti, Arabia Saudite dhe Jemeni.
Sipas llogaritjeve astronomike, pika ku eklipsi do të zgjasë më shumë do të jetë në Egjipt, duke e kthyer vendin në një nga destinacionet kryesore për vëzhgimin e këtij spektakli qiellor.
Shkencëtarët shpjegojnë se kohëzgjatja e pazakontë e fenomenit vjen si rezultat i një rreshtimi të veçantë mes Tokës, Hënës dhe Diellit. Në momentin e eklipsit, Hëna do të jetë relativisht pranë Tokës, duke u dukur më e madhe në qiell, ndërsa Toka do të ndodhet në pikën më të largët të orbitës së saj nga Dielli, duke bërë që disku diellor të duket pak më i vogël.
Gjatë fazës së totalitetit, dita do të shndërrohet për pak minuta në muzg, ndërsa do të bëhet e mundur vëzhgimi me sy të lirë i koronës diellore, shtresa e jashtme e atmosferës së Diellit, e cila zakonisht mbetet e padukshme për shkak të shkëlqimit të tij intensiv.
Astronomët e cilësojnë eklipsin e 2 gushtit 2027 si një nga ngjarjet më të rëndësishme astronomike të dekadave të fundit dhe një mundësi unike për studiuesit dhe publikun për të përjetuar një fenomen të jashtëzakonshëm natyror.