Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, vlerësoi procesin e vettingut si një nga reformat më të rëndësishme dhe historike në sistemin shqiptar të drejtësisë, duke theksuar se rezultatet e arritura duhet të jenë të qëndrueshme dhe standardet e vendosura të ruhen në vijimësi.
Deklaratat u bënë gjatë një konference të organizuar në Tiranë mbi rezultatet e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe partnerë ndërkombëtarë.
“Procesi i vettingut ka qenë një proces historik. Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë vlerësim, punë e cila nuk ishte e lehtë. Kolegji luajti rol tepër të madh në pasjen e sigurisë në të gjitha fazat e vettingut. Dua të falënderoj edhe OMN-në, që luajti rol të rëndësishëm gjithashtu”, u shpreh Gonzato.
Ambasadori nënvizoi se puna për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë nuk përfundon me mbylljen e procesit të vettingut, por duhet të vazhdojë përmes mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes.
“Arritjet duhet të jenë të qëndrueshme në kohë. Standardet që janë vendosur duhet të mbeten ende. Kjo do të thotë që kontrolli i pasurisë dhe verifikimi i figurës së gjyqtarëve të vijojë të shihet me kujdes”, deklaroi ai.
Gonzato vlerësoi gjithashtu rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në hetimin e sjelljeve të papërshtatshme dhe rëndësinë e Shkollës së Magjistraturës në formimin profesional dhe etik të brezit të ri të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“ILD vazhdon të hetojë sjelljet e papërshtatshme sa herë që nuk respektohen rregullat. Edhe Shkolla e Magjistraturës ka një rol tepër të madh në kultivimin e vlerave të etikës. Këto vlera duhet të bëhen pjesë e kulturës profesionale të gjyqtarëve”, tha ai.
Në përfundim, ambasadori i Bashkimit Europian theksoi se vazhdimi i reformave mbetet kyç për rrugën europiane të Shqipërisë.
“Vetëm përmes reformave, Shqipëria do të afrohet me Bashkimin Europian”, përfundoi Gonzato.