Rama pas votimit në PE: U rrëzua amendamenti për Sazanin dhe Zvërnecin, Europa ndau faktet nga dezinformimi
Kryeministri Edi Rama reagoi pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Europian, ku u rrëzua amendamenti që lidhej me zhvillimet në Sazan dhe Zvërnec.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se Parlamenti Europian ndau faktet nga ajo që ai e cilësoi si “stuhi digjitale dezinformimi”, duke theksuar se zona e mbrojtur Vjosë-Nartë nuk ka lidhje me projektin e zhvillimit në Zvërnec.
“Ja edhe Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dizinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë”, shkroi Rama.
Kryeministri e lidhi debatin e javëve të fundit me protestat kundër projektit, duke vënë në dyshim motivet e organizatorëve të tyre.
“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove”, u shpreh ai.
Rama garantoi se zonat e mbrojtura do të vijojnë të ruhen, ndërsa zhvillimi në Zvërnec do të realizohet vetëm mbi bazën e një Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian.
“Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”, përfundoi kryeministri.







