Hita: Marjana Koçeku nuk ka bërë kallëzim në polici, jemi të gatshëm të garantojmë mbrojtje
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se deputetja Marjana Koçeku nuk ka paraqitur asnjë kallëzim zyrtar në polici lidhur me pretendimet për kërcënime nga grupi kriminal i Bajrave.
I pyetur nga Report Tv pas reagimit publik të deputetes në rrjetet sociale, Hita theksoi se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të mbrojë jetën dhe pronën e çdo qytetari, por deri më tani nuk ka pasur një denoncim konkret nga Koçeku.
“Policia është në mbrojtje të jetës të çdo personi. Është detyrim ligjor të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve. Në bazë të kërcënimit dhe rrezikut, do bëhet edhe vlerësimi i mbrojtjes. Por denoncim konkret nuk ka në polici”, tha Hita për Report Tv.
Deklarata e kreut të Policisë vjen në një moment kur pretendimet e deputetes Koçeku kanë nxitur debat politik, ndërsa opozita ka ngritur shqetësime për ndikimin e krimit të organizuar dhe sigurinë e përfaqësuesve të zgjedhur.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se çdo rast i raportuar do të trajtohet sipas procedurave ligjore dhe se masat e mbrojtjes përcaktohen mbi bazën e vlerësimit të rrezikut konkret.







