Kryeministri Edi Rama ka nisur riorganizimin e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare që po zhvillohet në Gjirin e Lalzit.
Një nga ndryshimet kryesore prek qarkun e Tiranës, ku drejtimi politik u është besuar Albana Koçiut dhe Ervin Demos.
Dy zyrtarët socialistë do të bashkëdrejtojnë qarkun, duke zëvendësuar Erion Veliajn, Taulant Ballën dhe Ogerta Manastirliun, të cilët nuk do të jenë më pjesë e drejtimit politik të Tiranës.
Vendimi vjen në kuadër të riorganizimit të Partisë Socialiste, ndërsa forca qeverisëse po përgatitet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.
Ndryshimet në drejtimin politik të kryeqytetit marrin rëndësi të veçantë për shkak të peshës elektorale të Tiranës dhe diskutimeve mbi kandidaturën socialiste për drejtimin e bashkisë.
Mbledhja e Asamblesë Kombëtare vijon, ndërsa priten vendime të tjera për organizimin e strukturave socialiste dhe drejtuesit politikë në qarqet e vendit.


