Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thirrur këtë të enjte në një takim të përbashkët ministrat dhe deputetët e grupit parlamentar socialist.
Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave dhe vjen në kuadër të takimeve që Rama ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit me strukturat e Partisë Socialiste për organizimin e sezonit të ri politik.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë sërish dokumenti “Besa”, i cili përmban formulën e re të funksionimit të mazhorancës për pjesën e mbetur të mandatit. Në fokus do të jetë gjithashtu “Prania Besnike”, nisma që synon riorganizimin e socialistëve në terren dhe forcimin e komunikimit me qytetarët.
Takimi shoqërohet edhe me pritshmëri për ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar. Ndryshimet e fundit në qeveri janë bërë në janar të këtij viti, po gjatë një mbledhjeje të përbashkët mes ministrave dhe deputetëve socialistë.
Mundësia e lëvizjeve të reja në kabinet është shtuar pas zyrtarizimit një ditë më parë të dorëheqjes së Evis Salës nga posti i ministres së Shëndetësisë, pas rreth një viti në detyrë.
Sala bëri të ditur se vendimi lidhet me angazhimet e saj ndërkombëtare në fushën e kërkimit shkencor, ku do të përqendrojë aktivitetin e saj në vijim. Ajo kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë pas Albana Koçiut, ndërsa ende nuk është bërë i ditur emri që do ta pasojë në këtë detyrë.
Socialistët i mbyllën pushimet verore më 23 gusht, kur Rama zhvilloi në Pogradec takimin e parë për përgatitjen e sezonit të ri politik.
Që prej asaj kohe, kryeministri ka zhvilluar një seri mbledhjesh me ministrat, drejtuesit politikë të qarqeve, deputetët dhe të deleguarit e Partisë Socialiste në Tiranë.
Në qendër të këtyre takimeve ka qenë kërkesa për një prani më të madhe të përfaqësuesve socialistë në terren, përmirësimin e marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve, si dhe adresimin më të shpejtë të problematikave të ngritura prej tyre.
Mbledhja e sotme në Pallatin e Brigadave pritet të përcaktojë edhe prioritetet politike dhe organizative të socialistëve për muajt e ardhshëm, ndërsa vëmendja do të jetë veçanërisht te çdo vendim i Ramës për përbërjen e kabinetit qeveritar.


