Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e kësaj të shtune fotografi nga “sofra e gurtë” e vendosur përpara godinës së Kryeministrisë, të cilën e ka cilësuar si destinacionin më të ri turistik të kryeqytetit.
Në pamjet e publikuara në Facebook, shihen qytetarë dhe kalimtarë që ndalojnë përpara sofrës për të bërë fotografi, ndërsa mbi të vijojnë të qëndrojnë letra me mbishkrimin “DIALOG”.
“MIRËMËNGJES 😍 dhe me destinacionin më të ri turistik të Tiranës, ju uroj fundjavë të buzëqeshur 😊”, shkruan Rama krahas fotografive.
“Sofra e gurtë” është vendosur përpara Kryeministrisë si simbol i ftesës së kreut të qeverisë për dialog me protestuesit.
Rama ka shprehur në disa raste gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e tyre, ndërsa protestuesit nuk e kanë pranuar deri më tani ftesën, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e tij.
Ndërkohë, këtë të shtunë, në orën 14:00, është paralajmëruar zhvillimi i një proteste kombëtare përpara Ministrisë së Arsimit.
Postimi i kryeministrit vjen pak orë përpara tubimit të paralajmëruar, ndërsa ftesa e tij për dialog mbetet e hapur.


