Kryeministri Edi Rama ka folur për jetën e tij në politikë dhe marrëdhëniet me bashkëpunëtorët, gjatë një interviste me gazetaren Rudina Xhunga në podkastin “Flasim”.
Rama e cilësoi besimin te njerëzit si një prej tipareve kryesore të karakterit të tij, ndërsa pranoi se kontrolli ka qenë një nga dobësitë e tij gjatë ushtrimit të përgjegjësive publike.
“Për fat të mirë në disa drejtime dhe për fat të keq në disa të tjera, unë e kam këtë dobësi. Nuk jam njeri që nxitem për të kontrolluar. Kam punuar me tre drejtues të Shërbimit Sekret Shqiptar”, u shpreh Rama.
Kryeministri tregoi se prirjen për t’u besuar njerëzve e ka marrë nga gjyshja, me të cilën kishte një marrëdhënie të ngushtë gjatë fëmijërisë.
“Unë besoj shumë te njerëzit. Jam rritur me frymën që ma ka injektuar fillimisht gjyshja ime. Ishte njeriu që kisha shumë afër që i vogël. Ajo ishte një katolike praktikuese në kohën kur feja ishte e ndaluar”, tha ai.
Rama u shpreh se e ka më të zhvilluar besimin sesa prirjen për të kontrolluar, ndërsa tregoi se gjatë rrugëtimit të tij politik ka njohur edhe persona që jetonin vazhdimisht me dyshime.
Ai përmendi një ish-bashkëpunëtor, pa bërë publik identitetin e tij, të cilin e përshkroi si një njeri thellësisht dyshues.
“Kam njohur njerëz shumë dyshues. Kam pasur në mënyrë të veçantë një bashkudhëtar për një periudhë të caktuar. Nuk ka rëndësi emri. Vuante thellë nga dyshimi”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, të jetosh duke dyshuar vazhdimisht te të tjerët ka një kosto të madhe. Megjithatë, ai pranoi se në pozicione me përgjegjësi të lartë kërkohet më shumë kontroll.
“Gjithmonë kam besuar se të dyshosh te të tjerët dhe të jetosh me dyshime ka një kosto të madhe. Por ndonjëherë mendoj se duhet të kontrollosh, sidomos kur je në një pozicion me përgjegjësi, sepse besimi i tepërt mund të kthehet në një kosto që e paguajnë edhe të tjerët”, përfundoi Rama.


