Rama: 4 milionë euro për koncertin e Kanye West, presim mbi 100 milionë euro përfitime për ekonominë
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin e qeverisë për financimin me 4 milionë euro të koncertit të artistit amerikan Kanye West, duke e cilësuar investimin një mundësi të rëndësishme për promovimin e Shqipërisë dhe zhvillimin ekonomik.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama tha se fondi u vendos “në minutën e fundit” për të shmangur anulimin e koncertit dhe për të mos dëmtuar imazhin e Shqipërisë përballë rreth 25 mijë vizitorëve nga 80 vende të botës, të cilët sipas tij kishin blerë prej kohësh biletat.
“4 milionë euro në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që kanë blerë me kohë biletat për Kanye West; për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë turistike dhe për të stimuluar ekonominë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se qeveria pret që koncerti të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare, duke sjellë si shembull ndikimin ekonomik të finales së Conference League, e cila sipas të dhënave të UEFA-s solli rreth 160 milionë euro përfitime.
Sipas Ramës, rritja e menjëhershme e rezervimeve në platformën Booking.com për fundjavën kur do të zhvillohet koncerti është tregues i interesit të lartë dhe i ndikimit ekonomik që pritet të ketë eventi për familjet, bizneset dhe financat publike.
Ai reagoi edhe ndaj kritikave në rrjetet sociale, ku është vënë në diskutim përdorimi i fondeve publike për koncertin, duke i cilësuar akuzat si manipulime.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet se fondet e përdorura për koncertin janë marrë në dëm të sektorëve të tjerë, duke kujtuar se vetëm pak ditë më parë qeveria miratoi financime shtesë për shëndetësinë, mbështetjen sociale, sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik.
Rama renditi si shembuj shtimin me 15 milionë euro të fondit për barnat e pacientëve me kancer, 5 milionë euro për pajisje mjekësore, dyfishimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, rritjen e financimit për start-up-et, zgjerimin e garancisë sovrane për bizneset, si dhe paketën e re për zhvillimin urban e rural dhe bonusin për pensionistët.
Në fund të reagimit, kryeministri akuzoi kundërshtarët politikë dhe kritikët në rrjetet sociale se po përpiqen të pengojnë zhvillimin e vendit.
“Duan të ndalin dhe ta kthejnë mbrapa Shqipërinë. Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht”, përfundoi Rama.







