Shqipëria krijon rezervën strategjike të karburanteve, 42 milionë euro për stokun e emergjencës

23 Sep 2026 09:37
Shpërndaje:

Shqipëria pritet të ndryshojë mënyrën se si garanton furnizimin me karburante në rast krizash, duke krijuar gradualisht një rezervë strategjike të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, e cila do të administrohet nga një autoritet i posaçëm.

Projektligji “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, i propozuar nga qeveria për shqyrtim në Kuvend, synon të garantojë furnizimin e tregut në rast të ndërprerjeve të papritura apo vështirësive serioze në sigurimin e karburanteve.

Sipas nismës, Shqipëria duhet të ketë rezerva të barabarta me të paktën 90 ditë të importeve mesatare ditore neto ose 61 ditë të konsumit mesatar ditor të brendshëm, duke u marrë për bazë sasia më e madhe mes tyre. Stoku nuk do të krijohet menjëherë, por gradualisht, sipas një plani veprimi që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Reklamë Ola

Ndryshimi kryesor lidhet me administrimin e rezervës. Projektligji parashikon ngritjen e Autoritetit për Rezervën e Sigurisë së Naftës, i cili do të jetë përgjegjës për blerjen, shitjen, depozitimin dhe menaxhimin e stokut. Rezervat mund të mbahen në kapacitetet në dispozicion të Autoritetit ose në depo të operatorëve ekonomikë të kontraktuar prej tij.

42 milionë euro për 43,600 tonë karburante

Reklamë InterMedika

Krijimi i rezervës strategjike pritet të kërkojë financim të konsiderueshëm. Modeli financiar për periudhën 2026–2030 parashikon blerjen e rreth 43,600 tonëve karburante, me një kosto të vlerësuar prej rreth 39.4 milionë eurosh për blerjen dhe 2.6 milionë euro për depozitimin. Në total, fatura përllogaritet në rreth 42 milionë euro.

Sipas modelit, stoku do të përbëhet nga 17,440 tonë naftë bruto, 13,080 tonë diesel, 8,720 tonë benzinë, 2,180 tonë karburant avionësh dhe 2,180 tonë LPG. Kështu, rezerva nuk do të kufizohet vetëm te nafta bruto, por do të përfshijë edhe produkte të gatshme për t’u hedhur në treg në rast nevoje.

Rezervat do t’i nënshtrohen një regjimi të posaçëm sigurie dhe duhet të jenë në çdo moment fizikisht të disponueshme dhe të aksesueshme. Ato nuk mund të vendosen nën hipotekë, peng apo forma të tjera kufizimi që do të pengonin përdorimin e menjëhershëm të tyre në një situatë emergjente.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e Regjistrit Kombëtar të Rezervave të Sigurisë, ku do të evidentohen vendndodhja dhe kapacitetet e depozitimit, si dhe sasitë e ruajtura. Të dhënat do të administrohen nga Autoriteti në bashkëpunim me INSTAT-in dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Në rast të një ndërprerjeje të furnizimit ose rritjeje të ndjeshme të çmimeve të produkteve të naftës në tregun ndërkombëtar, Këshilli i Ministrave do të mund të vendosë nxjerrjen e rezervave në treg, në përputhje me Planin Kombëtar të Reagimit.

Nisma lidhet edhe me procesin e integrimit europian, pasi sistemi i ri synon përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian dhe detyrimet në kuadër të Komunitetit të Energjisë për mbajtjen e rezervave minimale të naftës.