Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi sot se Parisi do të thërrasë një samit të G7 me fokus te çështjet energjetike. Takimi pritet të zhvillohet gjatë javëve të ardhshme dhe synon koordinimin më të mirë të niveleve të rezervave energjetike mes vendeve anëtare.
Macron tha se takimi do të shërbejë për të shmangur tensionet e panevojshme mes vendeve të G7 dhe partnerëve kryesorë, si dhe për të rishikuar mundësinë e çlirimit të rezervave strategjike.
Presidenti francez deklaroi gjithashtu se Franca po punon për garantimin e furnizimit me naftë dhe gaz natyror. Sipas tij, vendi aktualisht ka nivele të përshtatshme rezervash dhe do të sigurohet që rezervuarët të jenë të mbushur gjatë dimrit.
Në të njëjtën kohë, Macron tha se Franca është përballur me sulme hibride ruse gjatë javëve të fundit, duke paralajmëruar se këto veprime nuk do të mbeten pa përgjigje nga vendet europiane.
“Kërcënimi, veçanërisht kërcënimi hibrid rus, me të cilin përballen europianët dhe Franca, është intensifikuar gjatë javëve të fundit”, deklaroi Macron.
Sipas tij, qëllimi i këtyre sulmeve është frikësimi dhe dobësimi i mbështetjes për Ukrainën, por “rezultati do të jetë i kundërt”.
Macron përmendi si shembull zbulimin e një droni të pajisur me eksplozivë në aeroportin e Leipzigut gjatë këtij viti.
Presidenti francez bëri të ditur gjithashtu se do të kontaktojë presidenten e Komisionit Europian për çështjen e rezervave të gazit në nivel europian dhe për përshpejtimin e masave që mund të ndihmojnë në uljen e çmimeve dhe kostove të energjisë.
“Ne nuk frikësohemi, sepse e dimë se siguria jonë e sotme dhe e ardhshme është në lojë në Ukrainë”, u shpreh Macron.


