×
Sunday, July 5, 2026

Putin dhe Trump diskutojnë për Ukrainën, Zelensky: Ka një shans real për paqe

July 5, 2026


Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë lufta në Ukrainë dhe mundësia e arritjes së një zgjidhjeje diplomatike.

Lajmi u konfirmua nga këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov, i cili bëri të ditur se telefonata u zhvillua në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet më 7-8 korrik në Turqi.

Sipas Kremlinit, Putin rikonfirmoi gatishmërinë e Rusisë për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të marrë parasysh qëndrimet parimore të Moskës.

Ushakov e cilësoi bisedën si “profesionale dhe shumë konstruktive”, duke shtuar se ajo zgjati një orë e 25 minuta. Gjatë telefonatës, presidenti rus i përsëriti Trump edhe ftesën për të vizituar Rusinë.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se edhe Ukraina mbetet e hapur për negociata, por theksoi se hapi i parë duhet të vijë nga Moska.

Në një reagim në rrjetet sociale, Zelensky bëri të ditur se zhvilloi një bisedë “shumë të mirë” me Trump, gjatë së cilës diskutuan situatën në front dhe zhvillimet diplomatike.

“Ekziston një perspektivë reale për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe vendosmëria e Shteteve të Bashkuara do të jetë vendimtare”, shkroi presidenti ukrainas.

Ai shtoi se ka rënë dakord me Trump që të vijojnë diskutimet personalisht gjatë samitit të NATO-s në Ankara, ku lufta në Ukrainë pritet të jetë një nga temat kryesore të axhendës.




Comments are closed.