SHBA feston 250-vjetorin e Pavarësisë, Trump: Identiteti amerikan është nën sulm
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 250-vjetorin e Pavarësisë me aktivitete në të gjithë vendin, përfshirë parada, koncerte, shfaqje me fishekzjarrë dhe ceremoni zyrtare.
Në Uashington DC, festimet përfshijnë një spektakël me fishekzjarrë, fluturime të avionëve luftarakë dhe një tubim të presidentit Donald Trump. Ndërkohë, në Nju Jork, Filadelfia dhe Los Angeles janë planifikuar koncerte me pjesëmarrjen e artistëve të njohur.
Mesazhi i parë me rastin e festës u dha nga zëvendëspresidenti JD Vance, i cili gjatë një fjalimi në Nju Jork falënderoi presidentin Trump dhe vlerësoi historinë amerikane.
“Sot festojmë 250 vjet Amerikë, duke u përballur me të ardhmen pa frikë. Festojmë 250 vjet, duke provuar se çfarë mund të arrijë një popull i lirë”, tha Vance para marinarëve, oficerëve të policisë, punonjësve të emergjencave dhe drejtuesve të marinave nga vende të ndryshme të botës.
Ai lexoi gjithashtu një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë, ku theksohet se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” dhe se gëzojnë të drejta të patjetërsueshme si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.
Megjithatë, kushtet ekstreme të motit kanë ndikuar në programin e festimeve. Meteorologët kanë paralajmëruar temperatura shumë të larta dhe stuhi në pjesë të SHBA-së lindore dhe qendrore, duke bërë që disa aktivitete të anulohen ose të shtyhen.
Një natë më parë, gjatë një fjalimi në malin ikonik Rushmore, presidenti Donald Trump e cilësoi 4 Korrikun si “një nga ditët më të jashtëzakonshme në historinë e botës”.
Ai deklaroi gjithashtu se “identiteti amerikan është nën një sulm të ri”, duke shtuar se “ka pasur një përpjekje të pamohueshme për të rrëzuar shpirtin amerikan”.







