×
Saturday, July 4, 2026

Papa Leoni XIV nga Lampeduza: Europa ka nevojë për një strategji afatgjatë për emigracionin

July 4, 2026


Nga ishulli italian i Lampeduzës, Papa Leoni XIV i bëri thirrje Europës të hartojë një strategji afatgjatë për përballimin e emigracionit, duke e cilësuar këtë fenomen si një “thirrje epokale” për shoqëritë europiane.

Gjatë meshës së mbajtur pranë portit ku zbarkojnë mijëra emigrantë, Ati i Shenjtë u shpreh se Europa duhet të kalojë nga menaxhimi i krizave drejt politikave të qëndrueshme, që garantojnë shpëtimin, mbrojtjen dhe integrimin e azilkërkuesve, si edhe mbështetjen për zhvillimin e vendeve të tyre të origjinës.

“Me mijëra njerëz kanë humbur jetën në Mesdhe; këto viktima janë pasojë jo vetëm e vendimeve të gabuara, por edhe e mosveprimit. Varfëria, luftërat, trafikimi i qenieve njerëzore dhe indiferenca kanë krijuar një tragjedi që nuk mund të injorohet. Lutem që bota e sotme dhe e nesërme të bëhet më njerëzore për të gjithë”, tha Papa.

Në nisje të vizitës së tij, Papa Leoni XIV u lut në varrezat e Lampeduzës pranë varreve të emigrantëve që humbën jetën në det, mes tyre edhe një foshnjë gjashtëmuajshe nga Guinea.

Më pas ai vizitoi monumentin simbolik “Porta e Europës”, ku eci i vetëm drejt bregut me vështrimin nga Mesdheu, në një moment me simbolikë të fortë.

Kreu i Kishës Katolike falënderoi banorët e Lampeduzës, vullnetarët, rojën bregdetare, personelin mjekësor dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar emigrantët ndër vite, duke e cilësuar solidaritetin e tyre një “mrekulli të dhembshurisë”.




Comments are closed.