Nga hapja e kapitujve të parë të negociatave te prova e zbatimit, Shqipëria në fazën vendimtare
Shqipëria ka hyrë në fazën më të avancuar të procesit të integrimit europian. Pas hapjes të të gjithë kapitujve – 33 gjithsej, fokusi është zhvendosur nga harmonizimi formal i legjislacionit te zbatimi konkret i reformave.
Tashmë, vëmendja e institucioneve zhvendoset te përmbushja e kushteve specifike për mbylljen e përkohshme të secilit kapitull, ku thelbësore mbeten reformat në sundimin e ligjit. Sipas agjendës së integrimit, fokusin kryesor do ta mbajnë kapitujt 23 dhe 24, të cilët lidhen me pavarësinë e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, pasi diktojnë ritmin e mbylljes së të gjithë procesit.
Për Ardian Haçkajn, ekspert i politikave të integrimit europian në Shqipëri, suksesi nuk do të matet vetëm me kapitujt e mbyllur. “Shqipëria po fiton pikë integrimi teknik, por jo domosdoshmërisht transformim ekonomik të qëndrueshëm dhe të balancuar për shoqërinë”, vlerëson ai.
Në të njëjtën linjë, Arben Shkodra nga Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, argumenton se anëtarësimi nuk duhet parë si fundi i procesit, por si fillimi i një transformimi të thellë ekonomik.
Bizneset shqiptare përballë standardeve europiane
Integrimi në tregun unik europian nënkupton respektimin e mijëra rregullave teknike, standardeve të sigurisë ushqimore, mbrojtjes së konsumatorit, mjedisit, konkurrencës dhe cilësisë së produkteve. Pikërisht këtu është edhe sfida më e madhe.
Z. Haçkaj paralajmëron se shumë aktivitete ekonomike shqiptare kanë pak kohë për t’u përshtatur.
“Bizneset, sidomos aktivitetet që për momentin nuk janë të ekspozuara ndaj BE-së dhe si pasojë nuk janë të përgatitura, kanë shumë pak kohë për t’u përshtatur”.
Shqetësimi është edhe më i madh te prodhuesit vendas. Sipas një analize paraprake të Ministrisë së Ekonomisë, të cituar nga Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë, vetëm 10–15% e bizneseve konsiderohen aktualisht të përgatitura për tregun europian.
“Rreth 10 deri në 15% e tyre janë relativisht të përgatitura për të qenë pjesë e Bashkimit Europian”, thotë z. Shkodra.
Sektorët më të ekspozuar pritet të jenë industria ushqimore dhe ndërtimi. Në rastin e industrisë ushqimore, BE kërkon standarde shumë të larta të sigurisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve. Në ndërtim, sfida lidhet me përafrimin me Eurokodet dhe normat europiane të sigurisë.
Në thelb, integrimi përfaqëson kalimin nga një model ekonomik i bazuar në kosto të ulët pune drejt një ekonomie të bazuar te produktiviteti dhe inovacioni.
“Kostot janë reale dhe të menjëhershme, përfitimet do të jenë më të mëdha, por të vonuara dhe të pabarabarta”, argumenton z. Haçkaj.
Sipas tij, fituese do të jenë bizneset që eksportojnë në tregun europian dhe arrijnë të certifikohen sipas standardeve të BE-së. Humbësit potencialë janë aktivitetet që operojnë vetëm në tregun vendas dhe që deri më sot kanë funksionuar me kërkesa më të ulëta rregullatore.
Edhe z. Shkodra paralajmëron se një pjesë e sipërmarrjeve mund të mos i mbijetojnë procesit.
Disa biznese, sipas tij, mund të detyrohen të ndryshojnë modelin e aktivitetit, ndërsa të tjera mund të mbyllen nëse kostot e përshtatjes rezultojnë të papërballueshme.
Fondet europiane dhe emigracioni: Mësimet nga Europa Lindore
Një nga argumentet kryesore në favor të integrimit është potenciali për të përfituar nga fondet europiane. Përvoja e vendeve si Polonia, Çekia apo Sllovakia tregon se fondet e kohezionit dhe ato strukturore kanë qenë motorët kryesorë të modernizimit ekonomik.
Polonia ka përfituar mbi 250 miliardë euro fonde europiane që prej anëtarësimit në vitin 2004 dhe konsiderohet sot një nga historitë më të suksesshme të konvergjencës ekonomike në BE.
Z. Hackaj argumenton se Shqipëria mund të ndjekë një trajektore të ngjashme.
“Nëse shihet evolucioni i Polonisë, anëtarësimi dhe lëvizja e lirë pas anëtarësimit mund të kontribuojnë në emigrim drejt BE fillimisht, por pasohet menjëherë me rikthim të emigrantëve në vend.”
Megjithatë, përfitimi nga fondet europiane nuk është automatik. Shqipëria vazhdon të ketë kapacitete të kufizuara absorbuese. Vetëm dy projekte shqiptare kanë përfituar financim nga programi “Single Market Programme” që prej vitit 2024.
Z. Shkodra argumenton se pa mbështetje financiare shtesë, shumë biznese nuk do të arrijnë të përshtaten. “98% e biznesit nuk kanë mundësi reale monetare dhe kapacitete për të bërë transformimin”, vëren ai.
Nga pikëpamja teknike, Shqipëria duket më afër se kurrë anëtarësimit. Por procesi nuk përfundon me mbylljen e kapitujve. Pas kësaj nis ratifikimi i Traktatit të Anëtarësimit nga të 27 vendet anëtare, një proces që mund të ndikohet nga zhvillimet politike në secilin shtet.
“Ajo që varet nga administrata, qeveria dhe Parlamenti është mbyllja e 33 kapitujve në dhjetor të 2027-s. Me këtë Shqipëria certifikohet si vend që plotëson kushtet teknike dhe administrative për të qenë anëtare e BE-së”, thotë Haçkaj. Nga ana tjetër, biznesi e sheh afatin 2030 si një vijë ndarëse. “Deri në vitin 2030 kemi kohën për të realizuar këtë transformim”, shprehet z. Shkodra.
Në fund, sfida e Shqipërisë nuk është vetëm të bindë Brukselin se është gati për t’u anëtarësuar. Sfida është të sigurojë që ekonomia, bizneset dhe qytetarët të jenë po aq të përgatitur sa edhe legjislacioni.
Sepse integrimi nuk është vetëm një proces politik. Është transformimi më i madh ekonomik dhe institucional që vendi ka ndërmarrë që nga fillimi i tranzicionit. /Monitor.al







