Erdogan: Pa vendet e rajonit nuk ka paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se asnjë proces paqeje në Lindjen e Mesme nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa pjesëmarrjen aktive të vendeve të rajonit.
Gjatë një deklarate në Stamboll, në prani të kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, Erdogan akuzoi qeverinë izraelite se po përpiqet të minojë marrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke përshkallëzuar kritikat ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Çdo zgjidhje që nuk mbështetet nga vullneti dhe kontributi i vendeve të rajonit nuk mund të jetë e përhershme”, u shpreh Erdogan.
Ai theksoi se Turqia po ndjek nga afër zhvillimet rreth marrëveshjeve SHBA-Iran dhe akuzoi qeverinë izraelite se po ushqen tensionet në rajon.
“Sipas tij, qeveria izraelite, e varur nga lufta, nuk duhet të lejohet të zhytë rajonin në gjak dhe barut”, tha presidenti turk.
Erdogan u ndal edhe te marrëdhëniet mes Turqisë dhe Pakistanit, duke nënvizuar synimin për të forcuar bashkëpunimin në energji, transport, teknologji dhe mbrojtje, si dhe për ta çuar tregtinë dypalëshe në 5 miliardë dollarë.
Ndërkohë, në Stamboll u zhvillua edhe një forum biznesi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dy vendeve. Ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar, deklaroi se kompanitë turke janë të gatshme të kontribuojnë në projektet e Pakistanit, veçanërisht në modernizimin e sektorit energjetik dhe transformimin e sistemit elektrik të vendit.







