Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare në një resort turistik në Gjirin e Lalzit, në një moment të rëndësishëm për përgatitjet e zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027 dhe zhvillimet e brendshme politike.
Mbledhja ishte parashikuar të niste në orën 10:00, ndërsa axhenda zyrtare nuk është bërë publike. Deri më tani, është konfirmuar vetëm se kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, do të mbajë një fjalim.
Zgjedhjet lokale, në qendër të diskutimeve
Një nga çështjet që pritet të marrë vëmendje është përzgjedhja e kandidatëve socialistë për drejtimin e bashkive në zgjedhjet e ardhshme.
Në fokus është edhe formula që do të përdorë PS-ja për përcaktimin e kandidaturave, ndërsa disa emra kanë nisur të përmenden në media, pa pasur ende konfirmime zyrtare.
Deputeti Erion Braçe ka shprehur hapur ambicien për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, duke kërkuar një proces të brendshëm partiak për përzgjedhjen e kandidatëve.
Mes emrave të përfolur për kryeqytetin janë edhe Ogerta Manastirliu dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo.
Për Bashkinë e Shkodrës përmendet Enea Karakaçi, ndërsa ministri i Bujqësisë, Andis Salla, shihet si një kandidaturë e mundshme për Elbasanin.
Megjithatë, asnjë prej këtyre kandidaturave nuk është zyrtarizuar.
Pritshmëri edhe për ndryshime në qeveri
Mbledhja zhvillohet mes spekulimeve për ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar, veçanërisht nëse disa ministra përzgjidhen për të kandiduar në zgjedhjet vendore.
Një tjetër çështje që pritet të marrë vëmendje është roli i drejtuesve politikë të qarqeve dhe organizimi i strukturave socialiste për fushatën elektorale.
Asambleja mbahet gjithashtu pas protestave dhe pakënaqësive publike të muajve të fundit, të cilat kanë shtuar diskutimet mbi përgjegjësitë politike dhe qeverisjen.
Përplasja Rama–Veliaj dhe qëndrimet e Spiropalit
Një tjetër zhvillim që mund të reflektohet në mbledhje është përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ky i fundit ka kërkuar të marrë pjesë në Asamble, duke propozuar disa alternativa, përfshirë praninë fizike, pjesëmarrjen online ose leximin e një letre me qëndrimet e tij.
Nga ana tjetër, përfaqësues të PS-së kanë mbajtur qëndrimin se përballja e Veliajt me drejtësinë duhet të mbetet e ndarë nga veprimtaria e partisë.
Mbetet e paqartë nëse kjo çështje do të trajtohet gjatë mbledhjes dhe nëse Rama do të mbajë një qëndrim publik.
Vëmendje pritet të marrin edhe kritikat e ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila ka paraqitur publikisht ide për ndryshime në mënyrën e funksionimit të Partisë Socialiste.
Mbledhja e sotme është e para e Asamblesë Kombëtare të PS-së pas rreth nëntë muajsh, ndërsa takimi i mëparshëm u zhvillua më 21 mars.


