Kryetari i Prishtinë, Përparim Rama, ka njoftuar shpalljen e projekteve fituese të konkursit për ndërtimin e Memorialit Përkujtimor “Adem Jashari” në kryeqytetin e Kosovës.
Sipas Ramës, projekti i vlerësuar me vendin e parë nga komisioni profesional do të realizohet në Prishtinë dhe synon të pasqyrojë rëndësinë historike, kombëtare dhe emocionale që mbart figura e Adem Jashari dhe sakrifica e familjes Jashari.
Memoriali fitues mban emrin “Zâni i Lirisë” dhe është konceptuar si një simbol i përhershëm i lirisë, rezistencës dhe sakrificës për shtetin e Kosovës.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se koncepti është frymëzuar nga fjalët e Adem Jasharit: “Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë”, duke e shndërruar zërin e Komandantit Legjendar në elementin qendror të projektit.
“‘Zâni i Lirisë’ nuk është vetëm një memorial, por një simbol që do të ruajë dhe transmetojë kujtesën e sakrificës për liri te brezat që do të vijnë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, memoriali do të shërbejë si një hapësirë përkujtimore dhe reflektimi për qytetarët, duke nderuar luftën për liri dhe kontributin e familjes Jashari në historinë e Kosovës.
Autoritetet e Prishtinës e konsiderojnë projektin një investim me rëndësi të veçantë kulturore dhe kombëtare, ndërsa zëri dhe mesazhi i Adem Jasharit pritet të mbeten pjesë e kujtesës kolektive në zemër të kryeqytetit të Kosovës.