Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një foto ku shfaqet përkrah presidentit amerikan Donald Trump dhe bashkëshortes Linda Rama, duke ironizuar komentet se gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara nuk ishte takuar me kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Duke iu referuar pretendimeve të kundërshtarëve politikë, Rama shkroi me ironi se ishte “detyruar” ta realizonte fotografinë me inteligjencë artificiale.
“Meqë s’e takova dot, siç thanë ata që çfarë nuk thonë, po asgjë s’bëjnë e s’na bëjnë dot, u detyrova ta bëj me IA”, shkroi kryeministri.
Më tej, Rama vijoi me të njëjtin ton, duke lënë të kuptohet se fotografia është reale.
“Po thuajuni atyre të bëjnë kujdes, se dro del që s’është IA dhe dalin prap si kokrrat e kandarit”, shkroi ai.
Postimi vjen pas debateve dhe komenteve politike mbi vizitën e Ramës në Shtetet e Bashkuara dhe nëse gjatë qëndrimit atje kishte zhvilluar një takim me presidentin Trump.


