Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është rikthyer këtë të shtunë përplasjes me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, duke sqaruar deklaratën që bëri ndaj saj dy ditë më parë në Kuvend.
Gjatë seancës parlamentare të së enjtes, Berisha iu drejtua ministres me pyetjen nëse kishte “kaluar nga zyra e Ergysit” dhe nëse kjo i kishte shërbyer për t’u bërë deputete. Pas deklaratës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i ndërpreu fjalën.
Ismaili reagoi më pas në rrjetet sociale, ku publikoi një video nga fjala e saj në Kuvend dhe iu përgjigj me ironi kreut të PD-së: “Këtu flas për zyrën e Agasit, ku isha së bashku me Argitën”.
Dy ditë më vonë, gjatë një bashkëbisedimi online me ndjekësit, Berisha sqaroi se deklarata e tij ndaj ministres nuk kishte pasur kuptim tjetër përveç atij politik.
“Lidhur me atë zonjën. Paska bërë një koment ajo, nuk ka pasur asnjë kuptim tjetër fjala ime përveçse politik”, tha Berisha.
Kreu i PD-së pretendoi se referencat e tij për “zyrën e Agasit” lidhen me atë që ai e konsideron ndikim të biznesmenit Ergys Agasi në vendimmarrjen politike.
“Kur flas për zyrën e Agasit, në parlament dhe kudo, unë flas për angazhimin e tij të tmerrshëm në politikë”, deklaroi Berisha. Ai pretendoi gjithashtu se ministra dhe zyrtarë të mazhorancës shkonin në zyrën e Agasit dhe se aty diskutoheshin çështje politike. Këto pretendime të Berishës nuk shoqëroheshin me prova në deklaratën e tij të së shtunës.
Berisha përmendi edhe Damian Gjiknurin, duke pretenduar se edhe ai kishte qenë në zyrën e Agasit, ndërsa vijoi akuzat ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama.
Kreu demokrat e mbylli reagimin duke kërkuar që Rama të përballet me drejtësinë, duke deklaruar se, sipas tij, nuk mund të ketë luftë reale kundër kriminalitetit pa përgjegjësi në nivelet më të larta të qeverisjes.
Përplasja Berisha-Ismaili nisi gjatë debatit parlamentar të së enjtes për zhvillimet që lidhen me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, dhe vijoi më pas në rrjetet sociale.


