Hita mesazh policëve: Asnjë sulm ndaj jush nuk është i pranueshëm

19 Oct 2026 • 16:28
Shpërndaje:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka shprehur mbështetjen efektivëve të angazhuar prej shtatë ditësh në menaxhimin e protestave, duke u kërkuar të vijojnë detyrën me profesionalizëm, qetësi dhe respekt për ligjin e dinjitetin e qytetarëve.

Në mesazhin drejtuar punonjësve të policisë, Hita vlerëson përkushtimin e tyre gjatë orëve të gjata të shërbimit dhe përballjes me tensione e akte dhune. Ai thekson se shumë efektivë janë lënduar në krye të detyrës dhe u uron shërim të shpejtë kolegëve të plagosur.

“E di se pas çdo uniforme është një njeri, një prind, një bashkëshort, një bir apo një bijë, që dikush e pret me shqetësim në shtëpi”, shprehet kreu i policisë.

Reklamë Ola

Hita dënon sulmet ndaj efektivëve, duke nënvizuar se dhuna nuk mund të justifikohet.

“Asnjë sulm ndaj jush nuk është i pranueshëm. Asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet”, shkruan ai.

Reklamë InterMedika

Njëkohësisht, drejtori i Përgjithshëm kërkon që veprimet e policisë të mbeten në çdo moment në përputhje me ligjin.

“Ju kërkoj të vijoni detyrën me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri, duke respektuar në çdo moment ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari”, thekson Hita.

Në përfundim, ai i siguron punonjësit për mbështetjen e tij në përballimin e sfidave dhe u bën thirrje të qëndrojnë të bashkuar e besnikë ndaj misionit të tyre.