Nufi në 39-vjetorin e BMEC: 54 operacione kundër zjarreve

02 Sep 2026 14:05
Shpërndaje:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka vizituar sot Bazën e Mbështetjes së Emergjencave Civile (BMEC), me rastin e 39-vjetorit të krijimit të kësaj strukture, pjesë e Komandës Mbështetëse të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë vizitës, Nufi vlerësoi rolin dhe angazhimin e efektivëve të BMEC, veçanërisht gjatë sezonit të vështirë të zjarreve që përfshiu vendin.

Sipas ministrit, në periudhën prill-gusht 2026, Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile ka zhvilluar 54 operacione për shuarjen e zjarreve, duke angazhuar mbi 1,500 efektivë dhe më shumë se 180 mjete.

Reklamë Ola

“Kjo strukturë vazhdon të ngelet struktura operacionale, e cila është shtylla kurrizore e të gjithë veprimtarisë së mbështetjes në rastin e emergjencave civile, apo fatkeqësive natyrore në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Nufi.

Ministri i Mbrojtjes u ndal edhe te puna e efektivëve që gjatë muajve të verës u angazhuan në terren për përballimin e vatrave të zjarrit, duke shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre.

Reklamë InterMedika

“Jam krenar për përkushtimin e tyre, mirënjohës gjithësecilit prej tyre që ka qenë në vijën e parë të luftës kundër zjarreve në këtë sezon veror kaq të vështirë”, deklaroi ministri.

BMEC mbetet një nga strukturat kryesore operacionale për mbështetjen e emergjencave civile dhe përballimin e fatkeqësive natyrore në vend, duke vënë në dispozicion kapacitetet njerëzore, logjistike dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrjet në terren.