×
Tuesday, August 9, 2022

Negociatat me BE, Balla: Ditë historike, fitore për shqiptarët

July 19, 2022

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ftuar në Top Talk tha se çelja e negociatave me Bashkimin Evropian është rezultat i të gjitha qeverive.

Ai theksoi se edhe opozita gjatë kohës që ka qenë në qeverisje  ka dhënë kontributin e saj, pasi është një arritje 30-vjeçare e vendit.

Sipas Ballës, koha e humbur gjatë katër viteve nuk ka qenë për faj të vendit, por prej politikës së brendshme të Bashkimit Evropian.

“Ajo që u quajt pengmarrjeje bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut ishte elementi i vetëm që kishte mbetur dhe sot ata që u munduan që përveç vetos bullgare të japin arsye të tjera besoj kanë kohën dhe ditën për  të kërkuar ndjesë. E vërteta doli në shesh që ka qenë vetoja që ka penguar. Sot jemi në ditë feste besoj që edhe kolegët e opozitës kanë arsye për të qenë të gëzuar. Natyrshëm gjatë kohës që kanë qenë në qeverisje kanë dhënë edhe ata një kontribut të vlefshëm, është një arritje 30-vjeçare e politikës shqiptare, e qytetarëve të thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi që e kanë mbështetur këtë proces. Një thirrje për të rinj e të reja të këtij vendi që është e vërtetë që rruga për në BE ka kërkuar shumë mund, por 4 vitet e fundit nuk janë humbur për faj të Shqipërisë, por për shkak të politikës së brendshme të Bashkimit Evropian”, tha Balla.

Balla gjithashtu ka një thirrje për Bashkimin Evropian duke theksuar se është domosdoshmëri që brenda këtij viti t’i jepet statusi i vendit kandidat Kosovës edhe Bosnje Hercegovinës.

“Jua përmenda rastin e Letonisë dhe Sllovakisë. Mali i Zi ka më shumë se 100 muaj nga fillimi i bisedimeve. BE duket se ka standarde të dyfishta. Sot në rajon është Shqipëria,  Mali i Zi, Serbia,. Maqedonia e Veriut,  Kosova dhe Bosnje Hercegovina, BE duhet domosdoshmërish që brenda këtij viti t’i hapi statusin e vendit  kandidat edhe Kosovës edhe Bosnje Hercegovinës. Rajoni është një rajon që ka tepër rëndësi. Unë nuk hezitoj ta them që rëndësia e përkatësisë së BE-së  në Evropën e Bashkuar është po aq e rëndësishme  sa nevoja që BE ka për rajonin tonë. Kush kujton se është nevojë e 6 vendeve e ka gabim, Evropa sot ka më shumë nevojë se kurrë”, shtoi deputeti.



Comments are closed.