×
Monday, July 15, 2024

Negociatat, Di Maio: Lënia e vendeve ballkanike jashtë BE do të ishte një gabim historik

May 19, 2021


Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio ka mbështetur edhe njëherë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ku tha se kjo çështje është në qendër të vëmendjes së Italisë.

Në një intervistë për të përditshme italiane ” Il Piccolo”, i pyetur nëse do të ketë lajme të mira për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Di Maio u shpreh se një vit pas vendimit për të hapur negociatat, vonesat e mëtejshme do të ishin të papranueshme.

“Një viti nga vendimi për të hapur negociatat me Shkupin dhe Tiranën, vonesat e mëtejshme nuk janë të pranueshme. Në Bruksel javën e kaluar theksova se besueshmëria e të gjithë procesit të zgjerimit rrezikon të dëmtohet nëse nuk do të duhet ta zhbllokojmë këtë vendim dhe do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur derisa të arrihet ky rezultat”, tha ai.

Sipas Di Maio, BE rrezikon të përballet me një rrezik serioz të humbjes së besueshmërisë në Ballkan, për shkak të vonesave në zgjerim. Lënien e vendeve të Ballkanit Perëndimor jashtë BE, Di Maio e konisderoi “një gabim me rëndësi historike që do të favorizonte palët e treta”.

“Lënia e këtyre vendeve jashtë BE-së do të ishte një gabim me rëndësi historike, një miopi e pajustifikuar politike që do të favorizonte palët e treta jo domosdoshmërish të interesuara në integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Europian “, theksoi Ministri i Jashtëm italian.

I pyetur se në cilin vit vendet e rajonit do të jenë në gjendje të bëhen anëtare të BE-së, Di Maio tha s enuk merret me parashikime, por shtoi se sa më shpejt të arrihet ky qëllim, aq më mirë do të jetë.

“Unë nuk merrem me parashikime, por thjesht them se sa më shpejt ta arrijmë këtë qëllim aq më mirë do të jetë për të gjithë ne Evropianët. Sot kemi të rinj në rajon që po bërtasin për të qenë në gjendje të hyjnë në Evropë të cilëve duhet t’u përgjigjemi pozitivisht”, shtoi ai.

Eunews.al



Comments are closed.