Kanadaja dhe Turqia kanë njoftuar nisjen e një partneriteti strategjik, të mbështetur në një plan veprimi trevjeçar për tregtinë, mbrojtjen, energjinë dhe lidhjet mes qytetarëve.
Njoftimi u bë nga kryeministri kanadez Mark Carney dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës dyditore të Carneyt në Turqi. Vizita zhvillohet ndërsa Otava kërkon të diversifikojë partneritetet dhe të ulë varësinë nga Shtetet e Bashkuara.
Në deklaratën e përbashkët të publikuar të enjten, dy udhëheqësit theksuan se forcimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm për përballimin e kërcënimeve të përbashkëta, në një mjedis ndërkombëtar me pasiguri të shtuara gjeopolitike.
Në fushën ekonomike, Kanadaja dhe Turqia ranë dakord të punojnë për përfundimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë. Synimi është zgjerimi i shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, veçanërisht në energji, prodhimin e pajisjeve ushtarake, industrinë hapësinore dhe inteligjencën artificiale.
Plani parashikon gjithashtu thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh në mbrojtje dhe siguri.
Dy liderët shprehën angazhimin për të bashkëpunuar në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin euro-atlantik dhe më gjerë, përfshirë Ukrainën, Kaukazin Jugor dhe Lindjen e Mesme, me vëmendje të veçantë ndaj Gazës.
Në sektorin energjetik, ministrat përkatës do të punojnë për zgjerimin e bashkëpunimit në gazin natyror të lëngshëm, energjinë bërthamore dhe mineralet kritike.
Shtylla e katërt e partneritetit lidhet me forcimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të të dy vendeve.


