×
Sunday, July 19, 2026

Mazniku: Harta e re territoriale synohet të miratohet në tetor, zgjedhjet e 2027-ës me ndarjen e re administrative

July 18, 2026


Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi se zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të zhvillohen mbi bazën e një harte të re territoriale, e cila synohet të miratohet në Kuvend brenda muajit tetor të këtij viti.

Mazniku bëri të ditur se Komisioni po vijon punën mbi draftin e reformës, duke u mbështetur edhe në raportin e ekspertëve, i cili sipas tij përmban të dhëna të rëndësishme mbi funksionimin ekonomik, financiar dhe administrativ të bashkive.

“Sot ne po vijojmë punën për këtë draft. Ne kemi dëgjuar të enjten ekspertët, të cilët kanë prezantuar një raport të detajuar, i cili është tashmë publik. Ai raport ka shumë të dhëna të rëndësishme ekonomike, financiare dhe për mënyrën sesi funksionojnë bashkitë”, u shpreh Mazniku.

Ai la të kuptohet se një nga ndryshimet që po shqyrtohen është bashkimi i Bashkisë së Prrenjasit me atë të Librazhdit. Ndërsa i pyetur nëse zona e Rinasit mund t’i bashkohet Bashkisë së Tiranës, Mazniku nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por nuk e përjashtoi këtë mundësi.

Sipas tij, afati për miratimin e hartës së re lidhet me kalendarin kushtetues të zgjedhjeve vendore.

“Ne kemi propozuar, duke qenë se jemi të lidhur me elementin e datës së zgjedhjeve në vitin 2027, ku në nëntor Presidenti duhet të shpallë zgjedhjet, që do të thotë që në tetor është afati i mundshëm për të miratuar në Parlament këtë reformë, që të kemi kohë që Presidenti të shpallë zgjedhjet me hartën e re”, tha ai.

Mazniku sqaroi gjithashtu se reforma nuk do të përfundojë vetëm me ndryshimin e kufijve administrativë. Ai propozoi që Komisioni të vijojë punën edhe për një vit tjetër për të plotësuar kuadrin ligjor që do të rregullojë funksionimin e bashkive të reja.

“Ndërkohë që për tre elementë të tjerë, elementin e funksioneve dhe kompetencave të bashkive, elementin e financave të bashkive dhe elementin e rajonalizimit, ne besojmë dhe ky është propozimi që do t’i bëjmë seancës, që duhet të vijojë puna edhe për një vit tjetër, deri në korrikun e vitit 2027, pasi nuk kemi limite fizike kohore për ta mbaruar atë punë dhe mund të marrim gjithë kohën e nevojshme për ta mbaruar atë punë”, deklaroi Mazniku.

Sipas tij, një nga objektivat kryesorë të fazës së dytë të reformës është forcimi i rolit të njësive administrative, në mënyrë që ato të ofrojnë shërbime më cilësore dhe më pranë qytetarëve.

“Do të marrim kohën që të bëjmë të mundur që njësitë administrative të bashkive të kenë një rol më të fortë për t’u ofruar shërbimin qytetarëve”, përfundoi ai.




Comments are closed.