Vlora në kulmin e sezonit turistik, rritet ndjeshëm numri i pushuesve vendas dhe të huaj
Vlora po përjeton kulmin e sezonit veror, me një rritje të ndjeshme të numrit të pushuesve vendas dhe të huaj gjatë mesit të muajit korrik. Plazhet e qytetit dhe zonat bregdetare vijojnë të jenë ndër destinacionet më të preferuara për turistët që zgjedhin rivierën shqiptare për pushimet e tyre.
Pjesa më e madhe e vizitorëve kanë ardhur nga vende të ndryshme të Europës, të tërhequr nga deti i pastër, plazhet, klima mesdhetare dhe natyra e zonës.
Krahas turistëve të huaj, edhe shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit janë kthyer në atdhe për të kaluar pushimet pranë familjarëve, duke kontribuar në rritjen e fluksit të vizitorëve në qytet.
Sipas operatorëve turistikë, harta e turistëve që frekuentojnë Vlorën është zgjeruar këtë sezon, ndërsa është vënë re një rritje e numrit të vizitorëve nga Anglia dhe Suedia.
Për shumë prej tyre, Vlora është kthyer në një nga destinacionet ideale për pushime verore, falë kombinimit të plazheve, gastronomisë, mikpritjes dhe afërsisë me atraksione të tjera turistike të rivierës shqiptare.
Me rritjen e interesit nga tregje të reja turistike, Vlora po forcon pozitat si një nga destinacionet kryesore të turizmit në Shqipëri, duke tërhequr çdo vit një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh nga e gjithë bota.







