Irani godet sërish aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik, sulmohen impiantet e desalinizimit
Irani ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik, pasi SHBA-ja vijoi për natën e shtatë radhazi bombardimet ndaj objektivave iraniane, pas dështimit të armëpushimit.
Sipas autoriteteve iraniane dhe kuvajtiane, sulmet e fundit kanë goditur impiante të desalinizimit të ujit, infrastrukturë jetike për furnizimin me ujë të pijshëm në rajonin e Gjirit, ku burimet natyrore të ujit janë shumë të kufizuara.
Ministria e Energjisë dhe Ujit e Kuvajtit bëri të ditur se një sulm iranian shkaktoi zjarr në një central energjetik dhe impiant desalinizimi. Kuvajti siguron rreth 90% të ujit të pijshëm përmes procesit të desalinizimit, duke e bërë këtë infrastrukturë thelbësore për vendin.
Nga ana tjetër, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim raportoi, duke cituar autoritetet lokale, se rreth 10 mijë persona po përballen me mungesa të ujit pas një sulmi amerikan ndaj një impianti desalinizimi në Iran. Teherani ka akuzuar më herët Uashingtonin se kishte dëmtuar një impiant të ngjashëm edhe gjatë muajit mars.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) deklaroi se objektivat e goditura përfshinin “pozicione vëzhgimi, infrastrukturë logjistike ushtarake, depo nëntokësore armësh dhe kapacitete detare”.
Ndërkohë, Bahreini dhe Jordania njoftuan se kanë interceptuar disa nga sulmet iraniane gjatë së shtunës. Sipas Tasnim, ushtria iraniane pretendon se objektivat e sulmeve ishin bazat ushtarake amerikane në Jordani dhe Kuvajt.
Përshkallëzimi i ri i konfliktit vjen pasi marrëveshja e armëpushimit e arritur në muajin qershor u shpall e përfunduar javën e kaluar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se negociatat për t’i dhënë fund konfliktit kishin dështuar.
Situata mbetet tejet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të bëjë thirrje për përmbajtje dhe rikthim në rrugën e diplomacisë, mes frikës se përplasjet mund të përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë rajonal.







