Allison Hooker pas takimit me Ferit Hoxhën: SHBA dhe Shqipëria do të forcojnë më tej partneritetin
Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, ka reaguar në rrjetin social “X” pas takimit të zhvilluar në Uashington me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Në mesazhin e saj, Hooker theksoi se gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet e ngushta mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si edhe për mënyrat e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve në funksion të sigurisë dhe prosperitetit të përbashkët.
“Ishte një kënaqësi të takohesha sot me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha. Biseduam për marrëdhëniet e ngushta që lidhin Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, si dhe për mundësitë për të forcuar më tej sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët”, shkroi Hooker.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së ministrit Hoxha në Uashington, ku ai mori pjesë në Ministerialin mbi rikthimin e terrorizmit politik, të organizuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Në ministerial, ku morën pjesë përfaqësues nga më shumë se 60 vende, kryediplomati shqiptar riafirmoi qëndrimin e Shqipërisë kundër dhunës politike, duke theksuar se ajo nuk mund të ketë vend në një shoqëri demokratike.
“Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë: në një demokraci, nuk ka as vend dhe as justifikim për dhunën si mjet politik. Historia jonë na kujton këtë lloj rreziku”, deklaroi Hoxha gjatë fjalës së tij.







