Europa në alarm nga moti ekstrem: Zjarre, thatësirë dhe stuhi përfshijnë disa vende
Europa po përballet me një valë të re të motit ekstrem, me zjarre masive, thatësirë të zgjatur dhe stuhi të fuqishme që kanë prekur disa vende të kontinentit. Autoritetet paralajmërojnë se kushtet atmosferike pritet të përkeqësohen edhe më tej gjatë ditëve në vijim.
Në verilindje të Spanjës, rreth 1 mijë banorë janë detyruar të evakuohen për shkak të zjarreve të mëdha që kanë përfshirë rajonin. Zjarrfikësit, të mbështetur nga rreth 30 mjete ajrore, po punojnë për të vënë nën kontroll flakët.
Vetëm pranë Ores, në rajonin e Aragonës, zjarri ka djegur mbi 12 mijë hektarë tokë, ndërsa vatra të tjera aktive raportohen edhe pranë Madridit dhe në provincën Guadalajara.
Ndërkohë, Franca po përballet me dy fenomene ekstreme njëkohësisht. Thatësira dhe temperaturat e larta kanë vënë në pikëpyetje funksionimin e një centrali bërthamor në jug të vendit, pasi ngrohja e ujërave të Mesdheut po e bën më të vështirë ftohjen e reaktorëve.
Në të njëjtën kohë, pas valës së të nxehtit, disa rajone franceze janë goditur nga stuhi të forta, të cilat kanë shkaktuar dy viktima dhe kanë lënë më shumë se 53 mijë familje pa energji elektrike.
Edhe Gjermania po ndjen pasojat e motit ekstrem. Niveli i ulët i ujit në lumin Rin ka penguar transportin lumor, duke rritur kostot e transportit dhe duke krijuar vështirësi për sektorin e logjistikës.
Sipas agjencisë Reuters, temperatura mesatare në Europë ka arritur në 27.5 gradë Celsius, rreth 4.2 gradë më e lartë se mesatarja për këtë periudhë të vitit.
Shërbimi Meteorologjik i Spanjës paralajmëron se nga dita e diel temperaturat do të rriten sërish, duke arritur deri në 44 gradë Celsius në disa zona të vendit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin, duke paralajmëruar se Europa mund të përballet me “disa javë vdekjeprurëse” për shkak të temperaturave ekstreme.
Ndërkohë, shkencëtarët raportojnë se valët e fundit të të nxehtit kanë shkaktuar mijëra vdekje më shumë se zakonisht në të gjithë kontinentin, ndërsa ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën dhe intensitetin e fenomeneve ekstreme të motit, duke e bërë Europën gjithnjë e më të ekspozuar ndaj zjarreve, thatësirave dhe stuhive të fuqishme.







