Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Ballkani Perëndimor ndodhet në një moment vendimtar, ndërsa zgjedhjet politike dhe ecuria e reformave në secilin vend do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në përfundim të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, zhvilluar në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Kos bëri të ditur se BE-ja po diskuton instrumente të reja financiare në kuadër të buxhetit të ardhshëm, të cilat do të përshtaten sipas progresit individual të vendeve të rajonit.
“Ne e shohim sot rajonin në udhëkryq dhe konceptit që bëjmë bashkë Ballkanin Perëndimor po i vjen fundi i vet i natyrshëm. Zgjedhjet politike që do të bëjë secili vend do të përcaktojnë çfarë do të ndodhë më tej”, u shpreh Kos.
Duke u ndalur te Shqipëria, komisionerja vlerësoi përparimin e arritur në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se puna e bërë për reformën në drejtësi duhet të shoqërohet tashmë me zbatimin e plotë të saj dhe garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor.
“Shqipëria ka bërë reformën e drejtësisë në një shkallë shumë të madhe, ajo që na duhet është që të ketë sistem të pavarur, që do të thotë reformat të vihen në zbatim siç duhen”, deklaroi Kos.
Komisionerja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e legjislacionit mjedisor dhe të një procesi gjithëpërfshirës të integrimit, me pjesëmarrjen e opozitës dhe shoqërisë civile, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë përfitimet konkrete që sjellin reformat.
Kos e cilësoi vitin 2027 si potencialisht vendimtar për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e Komisionit Evropian për avancimin e negociatave.
Duke iu referuar përvojës së Malit të Zi, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së, miratimi i të cilave mbetet thelbësor për procesin e zgjerimit.
Sipas komisioneres, gjatë vitit të ardhshëm, Komisioni Evropian dhe qeveria shqiptare do të angazhohen në komunikimin me vendet anëtare për të evidentuar progresin e Shqipërisë në negociata, si dhe përfitimet që vetë Bashkimi Evropian do të ketë nga anëtarësimi i saj.
Në përfundim, Kos u bëri thirrje liderëve të Ballkanit Perëndimor të shfrytëzojnë momentin aktual për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
“Thirrja ime për ju sot është ta shfrytëzojmë këtë moment, ta përfundojmë këtë proces dhe t’ju sjellim të gjithëve ju në BE”, deklaroi komisionerja.


