Begaj në Ohër: Kosova meriton një qasje të re nga Bashkimi Evropian

27 Nov 2026 • 13:50
Shpërndaje:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në nisje të punimeve të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit në Ohër, zhvilloi një takim me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ku në fokus ishin forcimi i bashkëpunimit dypalësh dhe avancimi i aspiratave evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Begaj e uroi Shiroka-Pulën për detyrën e re, duke shprehur besimin se përvoja e saj akademike dhe politike do të kontribuojë në forcimin e institucioneve dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

Kreu i shtetit rikonfirmoi se marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën mbeten prioritet i Shqipërisë, duke theksuar nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimin e agjendës së përbashkët kombëtare.

Reklamë Ola

Në lidhje me procesin e integrimit evropian, Begaj deklaroi se Kosova meriton një qasje të re nga Bashkimi Evropian, duke garantuar mbështetjen e Shqipërisë për dhënien e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Presidenti nënvizoi se njohja ndërkombëtare e Kosovës mbetet pjesë e agjendës së tij diplomatike, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e saj në NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Reklamë InterMedika

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë, Begaj shprehu mbështetjen e Shqipërisë për hapat ligjorë të autoriteteve të Kosovës dhe të drejtën kushtetuese për ndërmarrjen e nismave ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara, në konsultim me partnerët ndërkombëtarë.

Ai ritheksoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të një drejtësie të paanshme, që respekton kontekstin historik të luftës së popullit të Kosovës për liri.

Në përfundim të takimit, Begaj nënvizoi rëndësinë e promovimit të çështjeve që bashkojnë shqiptarët përtej politikës së ditës, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës si një faktor të rëndësishëm për avancimin e objektivave të përbashkëta evropiane dhe euroatlantike.