Shiroka Pula: Kosova do të vijojë forcimin e ushtrisë në bashkëpunim me SHBA-në dhe aleatët e NATO-s

27 Nov 2026 • 13:53
Shpërndaje:

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, me rastin e 27 Nëntorit, Ditës së Forcës, rikonfirmoi angazhimin për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), avancimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj.

Në mesazhin e saj, presidentja, njëherazi Komandante Supreme e FSK-së, theksoi se Ushtria e Kosovës përfaqëson aspiratën e brezave për një shtet të lirë, të pavarur dhe të sigurt.

Shiroka Pula nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët strategjikë ndërkombëtarë për modernizimin e forcave të armatosura dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.

Reklamë Ola

“Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, deklaroi presidentja.

Ajo nderoi gjithashtu sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, duke shprehur mirënjohje për pjesëtarët e FSK-së dhe kontributin e tyre në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Reklamë InterMedika

“Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët”, përfundoi Shiroka Pula, duke përcjellë urimet për Ditën e Forcës.