Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, do të zhvillojë të enjten, më 26 nëntor, një takim në Kuvendin e Shqipërisë, ku në fokus do të jetë ecuria e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Takimi, i organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE), do të zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, nga ora 14:45 deri në 16:10.
Aktiviteti do të nisë me fjalët përshëndetëse të bashkëkryetarëve të KKIE-së, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe të komisioneres Marta Kos.
Diskutimet do të vijojnë me përfaqësues të grupeve të interesit dhe komisioneve parlamentare, të cilët do të paraqesin vlerësimet dhe qëndrimet e tyre mbi ecurinë dhe sfidat e procesit të integrimit evropian.
Në takim pritet të marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të grupeve parlamentare dhe deputetë, të cilët do të diskutojnë mbi progresin e negociatave dhe hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Fjalën përmbyllëse të takimit do ta mbajë komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.


