Udhëheqësit e Bashkimit Evropian rikonfirmuan angazhimin e plotë ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes një deklarate me 20 pika, të miratuar në përfundim të samitit të zhvilluar në Bruksel.
Në dokument theksohet se situata e paqëndrueshme gjeopolitike, lufta e Rusisë kundër Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe intensifikimi i konkurrencës globale e bëjnë të domosdoshëm forcimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe rajonit.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi reale, e cila duhet shfrytëzuar”, thuhet në deklaratë.
Liderët evropianë e cilësojnë zgjerimin si një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit, duke u kërkuar vendeve të rajonit të përshpejtojnë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore. Procesi i anëtarësimit do të vijojë të mbështetet në parimin e meritave individuale dhe përmbushjen e kushteve përkatëse.
Në deklaratë i kushtohet rëndësi e veçantë lirisë së shprehjes, pavarësisë dhe pluralizmit të mediave, barazisë gjinore, mbrojtjes së pakicave dhe rolit të shoqërisë civile. BE-ja dënon gjithashtu glorifikimin e kriminelëve të luftës, mohimin e gjenocidit dhe revizionizmin historik.
Një nga çështjet kryesore të dokumentit është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Evropian paralajmëron se mungesa e përparimit në dialog vazhdon të pengojë rrugëtimin evropian të të dyja palëve. Mbështetja financiare në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv dhe arritja e rezultateve konkrete në normalizimin e marrëdhënieve.
Në aspektin ekonomik, BE-ja rikonfirmon mbështetjen për integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në tregun unik evropian. Ndër prioritetet janë shtrirja e sistemit “Roam Like at Home” në rajon, zgjerimi i pjesëmarrjes në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), zhvillimi i sistemeve të pagesave të menjëhershme, modernizimi i pikave kufitare dhe zgjerimi i bashkëpunimit industrial.
Liderët evropianë theksojnë potencialin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime. Kjo shumë u shtohet 29 miliardë eurove që po mobilizohen nëpërmjet Planit Ekonomik dhe të Investimeve. Vendet e rajonit nxiten të përshpejtojnë zbatimin e reformave për të përfituar maksimalisht nga këto instrumente financiare.
Në dokument nënvizohet gjithashtu rëndësia strategjike e Korridorit VIII, që lidh Adriatikun me Detin e Zi. BE-ja u kërkon partnerëve të Ballkanit Perëndimor të bëjnë përparim vendimtar drejt përfundimit të këtij projekti, duke shfrytëzuar në kohë mbështetjen evropiane.
Sa i përket politikës së jashtme dhe sigurisë, Brukseli kërkon harmonizimin e plotë të vendeve të rajonit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, përfshirë zbatimin e masave kufizuese. Deklarata rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën dhe forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje, sigurinë kibernetike dhe luftën kundër kërcënimeve hibride.
Menaxhimi i migracionit, harmonizimi i politikave të vizave, lufta kundër korrupsionit, trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe terrorizmit mbeten gjithashtu ndër prioritetet e përbashkëta.
Në përfundim të deklaratës, udhëheqësit evropianë theksojnë se Bashkimi Evropian mbetet investitori dhe partneri kryesor tregtar i Ballkanit Perëndimor, ofruesi më i madh i ndihmës financiare dhe një partner i besueshëm në fushën e sigurisë.

