Marta Kos kundërshton ndryshimet në ligjin për Specialen

12 Oct 2026 • 12:02
Shpërndaje:

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka kundërshtuar ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke paralajmëruar se ato bien ndesh me detyrimet që vendi ka ndaj Bashkimit Europian.

Kos e cilësoi të papranueshme ndërhyrjen në kuadrin ligjor të një institucioni gjyqësor ndërkohë që procedurat janë ende në zhvillim.

“Dua të theksoj qartë se ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Dhe kjo është e papranueshme”, deklaroi komisionerja.

Reklamë Ola

Sipas saj, ndryshimi i rregullave gjatë një procesi gjyqësor cenon parimet mbi të cilat mbështetet funksionimi i drejtësisë.

“Ndryshimi i rregullave ndërkohë që një procedurë gjyqësore është në zhvillim e sipër bie ndesh me çdo standard ndërkombëtar të vendosur për sundimin e ligjit”, theksoi Kos.

Reklamë InterMedika

Deklarata e komisioneres europiane e vendos çështjen e ndryshimeve ligjore në kontekstin e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimit të standardeve të shtetit të së drejtës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, trajtojnë çështje që lidhen me krime të pretenduara gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Kos theksoi se respektimi i procedurave gjyqësore dhe i angazhimeve ndaj Bashkimit Europian mbetet thelbësor për sundimin e ligjit.